Xfce

Subdomains

 

Mbi

Xfce-ja është mjedis desktop i peshës së lehtë, për sisteme operativë të ngjashëm me UNIX-in. Ai synon të jetë i shpejtë dhe me konsum të ulët të burimeve të sistemit, teksa ende të jetë tërheqës nga ana pamore dhe miqësor ndaj përdoruesit.

Xfce-ja trupëzon filozofinë tradicionale të UNIX-it për modularitet dhe ripërdorim. Përbëhet nga një numër përbërësish që furnizojnë punim të plotë që dikush pret nga një mjedis modern desktopi. Ata janë të paketuar veçmas dhe mund të zgjidhni mes paketave të gatshme për të krijuar mjedisin personal optimal të punës.

Një tjetër përparësi e Xfce-së është pajtueshmëria me standardet, konkretisht ato të përkufizuara te freedesktop.org.

Xfce-ja mund të instalohet në disa platforma UNIX. Dihet se përpilohet nën Linux, NetBSD, FreeBSD, OpenBSD, Solaris, Cygwin dhe MacOS X, në x86, PPC, Sparc, Alpha…

Veçori

Xfce-ja përmban një numër përbërësish bazë për veprimet minimum që do të pritnit prej një mjedisi desktop:

Përgjegjës Dritaresh

  • Administron vendosjen e dritareve në ekran, furnizon zbukurime dritaresh dhe administron hapësirat e punës ose desktopët virtualë.

Përgjegjës Desktopi

  • Cakton figurën e sfondit dhe furnizon një menu dritareje rrënje, ikona desktopi ose ikona të minimizuara dhe një listë dritaresh.

Panel

  • Kaloni nga një dritare e hapur në tjetrën, nisni aplikacione, këmbeni hapësira pune dhe shtojca menush që të shfletoni aplikacione ose drejtori.

Përgjegjës Sesionesh

  • Kontrollon hyrjen dhe administrimin e energjisë në desktop dhe ju lejon të depozitoni sesione të shumtë hyrjesh.

Gjetës Aplikacionesh

  • I shfaq aplikacionet e instaluara në sistemin tuaj sipas kategorish, që t’i gjeni dhe t’i hapni shpejt.

Përgjegjës Kartelash

  • Jep veçori elementare administrimi kartelash dhe mjete unike, bie fjala riemërtues në masë.

Përgjegjës Rregullimesh

  • Mjete për të kontrolluar rregullime të ndryshime të desktop-it, bie fjala, shkurtore tastiere, dukje, rregullime ekrani, etj.

Përtej grupit bazë të moduleve, Xfce-ja furnizon edhe aplikacione dhe shtojca të shumta shtesë, që të mund të zgjeroni mjedisin tuaj desktop ashtu si doni, për shembull, një emulues terminali, përpunues tekstesh, përzierës tingujsh, gjetës aplikacionesh, parës figurash, kalendarë me bazë iCal dhe aplikacion për shkrim CD-sh dhe DVD-sh. Më tepër rreth moduleve të Xfce-së mund të lexoni te faqja e projektit.